
Vatikan, Begaj dhe Osmani homazhe në nderim të Papa Françeskut
Kreu i shtetit shqiptar, Bajram së bashku me presidenten e Kosovës, krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri dhe kardinalin shqiptar Ernest Simoni kanë bërë homazhe këtë pasdite në Vatikan në nderim të Papa Françeskut.
Sipas njoftimit të Presidencës, bëhet e ditur se Begaj kreu sot homazhe pranë trupit të Papa Françeskut në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në një ceremoni ku marrin pjesë drejtues shtetesh, klerikë dhe besimtarë nga e gjithë bota.
“Gjatë homazheve për Atin e Shenjtë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, shoqërohej nga katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare, atij mysliman, ortodoks, katolik dhe bektashi, një dëshmi e vëllazërisë mes besimeve dhe tolerancës fetare, të cilën Papa Françesku e ka çmuar edhe gjatë vizitës së tij në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ndërkaq, në ceremoninë e nderimit të Papa Françeskut, përkrah kreut të shtetit shqiptar ishin Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kardinali Ernest Simoni, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale, Fortlumturia e Tij,
Joan Pelushi, Kreu i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Kreu i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Gent Kruja, e të tjerë.