Varrosen 30 nga 59 viktimat në Koçan

Varrosen 30 nga 59 viktimat në Koçan

Tridhjetë nga 59 personat që kanë humbur jetën nga zjarri që shpërtheu në një lokal nate në Koçan janë varrosur në këtë qytet në lindje të Maqedonisë së Veriut, raporton “Anadolu”.

Të afërmit që kanë humbur të dashurit e tyre nga zjarri dhe qytetarë të shumtë kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të mbajtur në varrezat e qytetit në Koçan.

Me lot në sy, pjesëmarrësit kanë ndezur edhe qirinj dhe kanë vendosur lule për 30 viktimat që janë varrosur.

Ndërkohë, nga 29 personat e tjerë që humbën jetën nga zjarri, pesë tashmë janë varrosur në Shtip, ndërsa ceremonitë mortore do të vazhdojë në qytete të ndryshme të vendit për viktimat e mbetura.

Në orët e para të 16 marsit, në një diskotekë në Koçan, ka shpërthyer një zjarr i tmerrshëm, ku 59 persona kanë humbur jetën dhe mbi 170 të tjerë janë lënduar.

Siç është bërë me dije, hetimet e nisura nga autoritetet përfshijnë 26 persona.

Lokali në fjalë ka rezultuar të ketë vepruar jashtë rregullores dhe nuk ka pasur licencë pune.

Maqedonia e Veriut ka shpallur shtatë ditë zie pas tragjedisë.

Share This