Van Dijk flet për të ardhmen e tij, lavdëron Salah-in
Në Angli tashmë po diskutohet për të ardhmen e Virgil van Dijk, kontrata e të cilit me Liverpool do të përfundojë së shpejti.
Ashtu si në rastin e Mohamed Salah, mbrojtësi holandez ende nuk ka arritur marrëveshje me ‘The Reds’ për rinovim e mundshëm të kontratës së re.
Pavarësisht se po bën një sezon të jashtëzakonshëm dhe është një nga shtyllat e skuadrës në ‘luftën’ për titull, Van Dijk thuhet se nuk është i kënaqur me ofertën e marrë nga Liverpooli.
Ky skenar hap mundësinë e një lamtumire si lojtar i lirë, megjithëse lojtari do të preferonte të zgjidhte çështjen e kontratës me Liverpool-in përpara se të vlerësonte çdo ofertë duke filluar nga muaji nga marsi.
“Nuk ka asnjë afat për rinovimin e kontratës. Do të shoh se çfarë do të sjellë e ardhmja. Tani jam plotësisht i fokusuar te ndeshja me Leicester”, ka thënë Van Dijk.
Ai ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij, Salah. Sipas tij, asi egjiptian është një futbollist i veçantë.
“Shifrat e tij flasin vetë. Ai është një futbollist shumë i veçantë. Ai ka bërë një punë të mrekullueshme për klubin dhe shpresoj se ai do të luajë sezonin e tij më të mirë duke qenë i rëndësishëm me golat dhe asistimet e tij”, ka pohuar mbrojtësi holandez.