
Vaçe Zela, zëri i pavdekshëm i këngës shqipe
Më 6 shkurt 2014 ndërroi jetë Vaçe Zela, njëra nga këngëtaret më të dashura të publikut shqiptar.
Vaçe Zela lindi në Lushnjë, më 7 prill të vitit 1939. Vaçja do të spikaste me talentin e saj që në moshë të hershme. Repertori i saj i ngjeshur vijon të gëzojë popullaritet edhe sot.
Mori pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio dhe më pas në Radiotelevizion, që prej organizimit të parë të tyre. Është fituesja e Festivalit të Parë (1962) me këngën “Fëmija i parë”. Në vazhdim të karrierës, do të fitonte edhe 11 çmime të tjera të para.
U largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992, duke lënë pas një kontribut të konsiderueshëm në muzikën shqiptare me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada etj.
Në shenjë vlerësimi u nderua me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. /atsh/