Ushtria izraelite thotë se është vrarë udhëheqësi i Hezbollahut, Nasrallah
Izraeli tha të shtunën se ka vrarë udhëheqësin e Hezbollahut Hassan Nasrallah, duke i dhënë goditjen më të rëndë grupit militant libanez, pas disa muajsh luftimesh. Nuk pati një konfirmim të menjëhershëm nga Hezbollahu.
Ushtria tha se disa komandantë të lartë të Hezbollahut u vranë së bashku me Hassan Nasrallahun në një sulm të fuqishëm ajror të premten. Ushtria tha se kreu një sulm ajror preciz ndërsa udhëheqja e Hezbollahut po zhvillonte një takim në selinë e saj në Dahiyeh, në jug të Bejrutit.
Ali Karki, komandanti i Frontit Jugor të Hezbollahut dhe komandantë të tjerë të Hezbollahut, u vranë gjithashtu në sulm, tha ushtria izraelite. Ministria libaneze e Shëndetësisë tha se gjashtë persona u vranë dhe 91 u plagosën në sulmet e së premtes, të cilat rrafshuan për tokë gjashtë ndërtesa banimi.
Ushtria izraelite tha se po mobilizonte forca shtesë nga trupat rezervë ndërsa tensionet përshkallëzohen me Libanin, duke aktivizuar tre batalione ushtarësh rezervë pasi dërgoi dy brigada në Izraelin verior në fillim të javës për t’u trajnuar për një sulm të mundshëm tokësor.
Të shtunën në mëngjes, ushtria izraelite kreu disa sulme në Bejrutin jugor dhe Luginën Bekaa të Libanit lindor. Hezbollahu hodhi dhjetëra predha në gjithë Izraelin verior dhe qendror dhe Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
Në paralagjet jugore të Bejrutit shihej tymi dhe rrugët e boshatisura pasi zona u godit gjatë natës nga sulmet e forta ajrore izraelite. Strehimoret e ngritura në qendër të qytetit për personat e zhvendosur janë të tejmbushura. Shumë familje flinin në sheshe dhe plazhe publike ose në makinat e tyre. Në rrugët që të çojnë në malet mbi kryeqytet, qindra njerëz mund të shiheshin duke ikur me këmbë, duke mbajtur në duar foshnjat dhe pak gjëra që mund të mbanin.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 720 veta janë vrarë në Liban gjatë javës së kaluar nga sulmet ajrore izraelite. /VOA