
Ushtarë italianë, bullgarë dhe maqedonas të KFOR-it stërviten për përdorimin e helikopterit në situata trazirash
Ushtarë nga Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, pjesë e Batalionit Kinetic të Komandës Rajonale-Perëndim të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë zhvilluar një trajnim për përdorimin e helikopterit në aktivitete kundër trazirave.
Stërvitja kishte për qëllim siç thuhet, përmirësimin e procedurave të hipjes dhe zbritjes nga helikopteri, ndërkohë që personeli mbante pajisje për kontrollin e turmave (CRC – Crowd and Riot Control).
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë”, shkruhet në postimin e NATO-s në Facebook.