Ura e Madhe e Kukësit në shërbim të Rrugës së Kombit

Ura e Madhe e Kukësit në shërbim të Rrugës së Kombit

Ura e Madhe e Kukësit, një nga veprat më moderne infrastrukturore në vend, është tashmë gati për të përballuar fluksin e lartë turistik dhe qarkullimin rrugor në Rrugën e Kombit, duke zëvendësuar urën e vjetër të ndërtuar në vitin 1978.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga kjo vepër e re, që bashkon brigjet e Drinit në Kukës, e cila konsiderohet si një nga projektet më të veçanta dhe inovative në fushën e infrastrukturës rrugore në Shqipëri.

E projektuar nga arkitekti italian Giorgio Rizzo, ura i jep zgjidhje një nyjeje të rëndësishme lidhëse në rrugën kombëtare, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në këtë zonë që deri më tani mbështetej në një strukturë të ndërtuar mbi 45 vite më parë, përpara ngritjes së digës së Fierzës.

Ura e re është ndërtuar tërësisht jashtë vendndodhjes së saj dhe më pas është pozicionuar përmes një metode të rrallë inxhinierike, lundrimit të strukturës mbi ujë, një teknikë e veçantë që e bën këtë projekt unik në rajon dhe ndër më të rrallët në Evropë.

Struktura e urës përfshin dy bazamente të fuqishme prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa gjatësia e saj është përbërë nga konstruksion metalik me një hark të madh, pa këmbë mbështetëse të ndërmjetme, duke siguruar qëndrueshmëri të lartë dhe një pamje mbresëlënëse arkitektonike.

Ky projekt ka kushtuar rreth 40 milionë euro, përfshirë edhe ndërtimin e dy rrugëve të aksesit, të hyrjes dhe të daljes.

Ura e Madhe e Kukësit pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e fluksit të turistëve dhe në lehtësimin e transportit përgjatë një prej akseve më të rëndësishme kombëtare, si dhe të forcojë më tej lidhjet mes Shqipërisë dhe Kosovës. /atsh/

Share This