UP-ja nderon me titullin “Doctor Honoris Causa” profesorin japonez Hisashi Owada

UP-ja nderon me titullin “Doctor Honoris Causa” profesorin japonez Hisashi Owada

Në ceremoninë solemne të mbajtur në Amfiteatrin e Fakultetit të Edukimit, Universiteti i Prishtinës, i akordoi titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” profesorit Hisashi Owada për kontributin e jashtëzakonshëm akademik, si dhe angazhimin jetësor në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe promovimin e paqes globale.

Laudator i këtij nderimi ishte dekani i Fakultetit Juridik, prof. Avni Puka, ndërsa rektori, prof. Arben Hajrullahu, cilësoi profesor Owadan një qytetar të botës, shembull i vlerave universale të drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Profesor Owada në fjalën e tij para të pranishmëve, falënderoi Universitetin e Prishtinës për nderimin që i bëri, bashkë me të gjithë personat që kontribuuan në këtë proces.

Në këtë ngjarje të shënuar për Universitetin e Prishtinës, morën pjesë ambasadori i Japonisë në Austri e Kosovë, Kiminori Iwama, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, ambasadorë dhe përfaqësues të shteteve të ndryshme, organizatave të tjera ndërkombëtare dhe partnere të UP-së.

Pritja e mysafirëve të nderuar u bë nga rektori Arben Hajrullahu dhe prorektorët Rozafa Basha, Albana Berisha-Qehaja, Majlinda Gjelaj, Naim Jerliu e Avni Hajdari, ndërsa të pranishëm gjatë nderimit të profesor Owada ishin edhe kryesuesi dhe anëtarët e Këshillit Drejtues, dekanët dhe prodekanët e njësive akademike bashkë me profesorët dhe studentët e UP-së, rektorët e universiteteve publike të vendit dhe figura të shquara të jetës dhe institucioneve akademike të Kosovës e më gjerë.

Profesor Hisashi Owada dha mësim në universitetet e Tokios dhe Wasedas në Japoni dhe në universitetet amerikane të Harvardit, Columbias e New York-ut.

Doktori i Nderit i UP-së ka lidhje të ngushta edhe me familjen perandorake japoneze, pasi vajza e tij është e martuar me perandorin japonez Naruhito.

Gjatë ceremonisë studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arteve ekzekutuan disa pika artistike.

Share This