United shet talentin tunizian në La Liga, detajet e akordit të veçantë
Hannibal Mejbri transferohet në Spanjë. Talenti i Manchester United do të vazhdojë pjesën e mbetur të sezonit te Sevilla. Skuadër që po kalon momentet më të vështira të viteve të fundit.
Drejtuesit e klubit andaluzian, sipas akordit me homologët e “Djajve të Kuq”, kanë të drejtën e blerjes së kartonit të 20-vjeçarit tunizian në verë. Për 20 mln euro.
Mesfushori i avancuar ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe ka zgjedhur fanellën me numër 46. Ndërkohë, Manchester United ka të drejtën e riblerjes së lojtarit për shumën 35 mln euro.
Hannibal, i cili numëron 27 ndeshje me kombëtaren e Tunizisë pavarësisht moshës së re, debutoi me Manchester United në sezonin 2020/2021. Gjatë këtij edicioni ka shënuar një gol me skuadrën e Ten Hag.
Fakti që në marrëveshjen mes dy klubeve është përfshirë klauzola e riblerjes, konfirmon faktin që anglezët kanë besim maksimal te kualiteti i futbollistit ofensiv.