United rikthehet të “buzëqeshë”, tre arsyet pas formës së “Djajve të Kuq”

United rikthehet të “buzëqeshë”, tre arsyet pas formës së “Djajve të Kuq”

Manchester United po shijon një moment pozitiv në javët e fundit.

4 fitore në 5 ndeshjet e fundit, ardhja në formë e Rasmus Hojlund dhe rikthimet e shumë futbollistëve të dëmtuar kanë risjellë buzëqeshjen tek “Djajtë e Kuq”.

Triumfi i pastër 3-0 në shtëpi ndaj West Ham riktheu skuadrën në vendin e 6-të dhe 8 pikë larg vendit të katërt që mbahet nga Aston Villa. Pikërisht, Villa është ndalesa e radhës për United, që do të udhëtojë të dielën drejt Birmingham për një nga transfertat më përcaktuese të sezonit.

Sfida e fazës së parë ndërmjet dy ekipeve kujtohet mjaft mirë për përmbysjen e Djajve pas disavantazhit prej dy golash, ku Rasmus Hojlund gjeti dhe rrjetën e parë sezonale pas 14 ndeshjeve pa gol në Premier League. Që prej atij momenti, danezi ka shijuar formën më të mirë me fanellën e Djajve të Kuq. 5 gola të shënuar në 5 ndeshjet e fundit, përfshirë dhe FA Cup, e kanë çuar tanimë sulmuesin 21-vjeçar në kuotën e 10 golave në të gjitha kompeticionet, së bashku me realizimet në Champions League.

Nuk është aspak habi që forma më e mirë e Hojlund ka ardhur pasi Erik ten Hag përcaktoi në mënyrë fikse dhe sulmin për çdo ndeshje, me Rashford dhe Garnachon që janë kthyer në shoqëruesit e pandashëm të danezit nga krahët.

Investimet e United u kritikuan së tepërmi gjatë verës, për faktin që nuk arritën të transferojnë një tjetër mesfushor. Megjithatë, një të tillë e kanë gjetur nga akademia e tyre, me Kobbie Mainoo që e ka bërë të vetin vendin e titullarit, me 9 ndeshje të luajtura së fundmi dhe me një gol tri-pikësh ndaj Wolves në javën e kaluar, transmeton SS.

Në një sezon me shumë ulje-ngritje, me eliminim nga Champions League dhe dalje të shpejtë nga gara e titullit, Erik ten Hag nuk ka qenë gjithmonë në një pozicion të mirë, por rezultatet e fundit dhe rritja e nivelit të performancave, si dhe marrja e pikëve të domosdoshme, i kanë dhënë të drejtë holandezit kur shprehej pak muaj më parë:’’Më gjykoni kur të kem ekipin e plotë në dispozicion’’.

Share This