UNICEF: 322 fëmijë të vrarë në Gaza në 10 ditë

UNICEF: 322 fëmijë të vrarë në Gaza në 10 ditë

Ofensiva e përtërirë e Izraelit në Gaza ka shkaktuar vdekjen e të paktën 322 fëmijëve dhe plagosjen e 609 të tjerëve në 10 ditët e fundit, sipas UNICEF.

Shifrat përfshijnë fëmijë që thuhet se u vranë ose u plagosën kur reparti kirurgjik i spitalit “Al Nasser”, në Gazën jugore, u godit në një sulm më 23 mars, tha në një deklaratë Agjencia e Fëmijëve e OKB-së (UNICEF).

“Shumica e këtyre fëmijëve ishin të zhvendosur dhe ishin strehuar në tenda të improvizuara ose shtëpi të dëmtuara”, shtoi ajo.

Pas përfundimit të një armëpushimi gati dy mujor në luftën e tij me Hamasin, Izraeli rifilloi bombardimet e rënda të Gazës më 18 mars dhe më pas nisi një ofensivë të re tokësore.

“Armëpushimi në Gaza ka ofruar një litar shpëtimi dëshpërimisht i nevojshëm për fëmijët e Gazës dhe shpresë për një rrugë drejt rimëkëmbjes”, tha drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.

“Por, fëmijët po ndodhen edhe një herë në një cikël dhune vdekjeprurëse dhe privimi. Të gjitha palët duhet të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar për të mbrojtur fëmijët”, theksoi ajo.

“Në gati 18 muaj lufte, më shumë se 15 000 fëmijë thuhet se janë vrarë, mbi 34 000 janë plagosur dhe gati një milion fëmijë janë zhvendosur dhe privuar vazhdimisht nga shërbimet bazë”, raporton UNICEF. /atsh/

Share This