Ukraina sulmon Moskën me të paktën 34 dronë

Ukraina sulmon Moskën me të paktën 34 dronë

Ukraina ka kryer një sulm me dhjetëra dronë në Moskë, e që po konsiderohet si sulmi më i madh në kryeqytetin rus.

Ukraina sulmoi Moskën të dielën me të paktën 34 dronë, në sulmin më i madh në kryeqytetin rus që nga fillimi i luftës, duke detyruar që fluturimet të devijohen nga tre nga aeroportet kryesore të qytetit dhe duke plagosur të paktën një person.

Një video e pa verifikuar e postuar në kanalet ruse të Telegramit tregoi dronët që gumëzhinin në të gjithë horizontin. Mbrojtja ajrore ruse shkatërroi 36 dronë të tjerë mbi rajone të tjera të Rusisë Perëndimore në të dielën, njofton ministria e mbrojtjes.

“Një përpjekje e regjimit të Kievit për të kryer një sulm terrorist duke përdorur një dron të tipit aeroplan në territorin e Federatës Ruse u pengua,” thotë kjo ministri.

Agjencia federale e transportit ajror të Rusisë tha se aeroportet e Domodedovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky devijuan të paktën 36 fluturime, por më pas rifilluan funksionimin. Një person është raportuar i plagosur në rajonin e Moskës.

Moska dhe rajoni i saj përreth, me një popullsi prej të paktën 21 milionë banorësh, është një nga zonat më të mëdha metropolitane në Evropë, krahas Stambollit. Nga ana e saj, Rusia lëshoi “një rekord prej 145 dronësh gjatë natës”, njofton Ukraina.

Kievi tha se mbrojtja ajrore e saj rrëzoi 62 prej tyre. Ukraina tha gjithashtu se sulmoi një arsenal armësh në rajonin Bryansk të Rusisë, i cili raportoi se 14 dronë ishin rrëzuar në rajon.

Lufta mbi dy vjeçare në Ukrainë po hyn në atë që disa zyrtarë thonë se mund të jetë akti i saj përfundimtar pasi forcat e Moskës përparuan me ritmin më të shpejtë që nga ditët e para të luftës dhe Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Trump, i cili merr detyrën në janar, tha gjatë fushatës se ai mund të sillte paqen në Ukrainë brenda 24 orëve, por ka dhënë pak detaje se si do të kërkonte ta bënte këtë. /rtk/

Share This