UEFA s’e lejon Dion Berishën ta përfaqësojë Shqipërinë U21 në këto kualifikuese

UEFA s’e lejon Dion Berishën ta përfaqësojë Shqipërinë U21 në këto kualifikuese

Sulmuesi Dion Berisha u bë lojtari më i fundit që e la Kombëtaren e Kosovës U21, duke iu bashkuar Shqipërisë U21, mirëpo nuk ka të drejtë të luajë në këto kualifikuese në kuadër të Kampionatit Evropian “Euro 2024 U21” shkaku i rregullave të reja të UEFA-s.

Shtëpia e futbollit ka vendosur një rregull të ri për kombëtaret U21, ku një lojtar nuk ka të drejtë ta përfaqësojë një kombëtare tjetër në kuadër të atyre kualifikuesve nëse ka bërë ndonjë paraqitje zyrtare me kombëtaren paraprake.

Thënë më thjeshtë, në këtë rast sulmuesit së Bayern Munich II nuk do t’i lejohet të luajë për Shqipërinë U21 pasi ka bërë dy paraqitje zyrtare me Kosovën U21 (hyri si zëvendësues ndaj Polonisë dhe Gjermanisë).

Babai i Dionit, Ekremi për Gazetën Nacionale deklaroi se lojtari s’ka të drejtë të zhvillojë ndeshje në këto kualifikuese.

“Është shkaku i rregullave të reja të UEFA-s. Nuk ka të drejtë të luajë në këto kualifikuese”.

Ndërkohë, Nacionale ka kontaktuar edhe përzgjedhësinë e Shqipërisë U21 Alban Bushi, i cili shtoi se Berisha ende s’është pajisur me pasaportë shqiptare.

“Dionit ende nuk i ka dalë pasaporta. Rregullat e reja të UEFA-s? Aty nuk e di, duhet të shohim”.

Sulmuesi i Bayern Munichut II Dion Berisha befasoi të gjithë, duke kaluar te Shqipëria U21 edhe pse ishte pjesë e Kosovës në dy ndeshjet e shtatorit (kundër Polonisë dhe Gjermanisë).

Shqipëria U21 momentalisht është në rrugën e duhur për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian meqenëse ka arkëtuar gjashtë pikë në dy xhirot e para.

Skuadra e drejtuar nga Bushi të premten përballet me Finlandën U21, kurse katër ditë më vonë e pret Malin e Zi U21.

Share This