UEFA dënon Rumaninë, FFK e pakënaqur – kërkon masa më të rrepta
Komisioni Disiplinor i UEFA-s e ka dhënë verditikin e tij për transparentin skandaloz të tifozëve rumun dhe ngjarjet që ndodhën në ndeshjen Rumani-Kosovë, në Bukuresht.
Në fakt, shtëpia e futbollit evropian është mjaftuar vetëm me një gjobë prej 52 mijë eurosh dhe një ndeshje pa praninë e tifozëve për Federatën Rumune të Futbollit.
Ndeshja kualifikuese për Euro 2024, Rumani – Kosovës, ishte ndërprerë për 50 minuta për shkak të publikimit të transparentit skandaloz dhe thirrjeve raciste “Kosova është Serbi”. Pas vazhdimisht rumunët fituan me rezultat 2:0.
E lidhur me këtë dënim të UEFA-s menjëherë ka reaguar Federata e Futbollit e Kosovës. Kjo e fundit ka shprehur pakënaqësinë e saj në lidhje me vendimin e organeve disiplinore të UEFA-s.
“FFK-ja do të vazhdojë rrugën e saj ligjore dhe do të paraqesë ankesë në trupat përkatëse të UEFA-s, duke kërkuar që dënimi ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë të jetë sa më i lartë i mundshëm, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në forma të tjera, në mënyrë që të shërbejë si shembull se UEFA nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë ofendime të tilla raciste ndaj një Federate anëtare të saj dhe ndaj një shteti të njohur ndërkombëtarisht”, thuhet në reagimin e FFK-së.
Tutje shtëpia e futbollit kosovar ka theksuar se është e përkushtuar që të kërkoj nga UEFA, që nëpërmjet dënimeve ndaj Federatës së Rumanisë “t’ia bëjë të qartë çdo federate, grupi tifozësh apo çfarëdo grupi tjetër të interesit, se shteti i Kosovës, ekipi kombëtar i Kosovës dhe Federata e Futbollit e Kosovës, duhet të trajtohen dhe të respektohen në të njëjtën formë me çdo shtet, ekip kombëtar, e Federatë tjetër evropiane që është anëtare e UEFA-s”.