Uashingtoni zyrtarizon planet për mbylljen e USAID-it

Uashingtoni zyrtarizon planet për mbylljen e USAID-it

Administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump ka bërë të ditur planet për të mbyllur agjencinë amerikane të zhvillimit ndërkombëtar USAID, duke konkretizuar planet e kritikuara gjerësisht për të shkurtuar në mënyrë dramatike shpenzimet e ndihmës së huaj.

“Sot, Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë njoftuar Kongresin për qëllimin e tyre për të ndërmarrë një riorganizim që do të përfshinte riorganizimin e disa funksioneve të USAID-it në Departamentin deri më 1 korrik 2025”, tha në një deklaratë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio.

Sipas tij, Departamenti i Shtetit planifikon “të ndërpresë funksionet e mbetura të USAID-it që nuk përputhen me prioritetet e administratës”.

“Për fat të keq, USAID-i u largua nga misioni i tij fillestar shumë kohë më parë. Si rezultat, fitimet ishin shumë të pakta dhe kostot ishin shumë të larta”, tha ai.

Pas marrjes së detyrës në janar, presidenti republikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ngrinte ndihmën e jashtme amerikane për 90 ditë.

Ngrirja e ndihmës ka shkaktuar tronditje dhe shqetësim në agjencinë e pavarur të krijuar nga një akt i Kongresit të SHBA në 1961.

Para mbylljes së saj, agjencia menaxhonte një buxhet vjetor prej afro 43 miliardë dollarësh, që përbënte më shumë se 40 për qind të ndihmës humanitare në botë.

Shumica e stafit të saj u vendosën në leje administrative menjëherë pasi Trump mori detyrën.

Stafi i USAID-it u informua në një memorandum ditën e sotme rreth planeve për të eliminuar të gjitha vendet e punës që nuk kërkohen me ligj. /rtsh/

Share This