Turqia bllokon Instagramin, akuza se censuroi postimet për shefin e Hamasit
Autoriteti turk për Teknologjinë dhe Komunikimet njoftoi të premten se ka bllokuar aksesin në platformën Instagram për një kohë të pacaktuar.
Raportohet se aplikacioni për përdoruesit në Turqi është bërë i papërdorshëm, duke mos lejuar marrjen e informacioneve të reja nga bota. Instagrami përdoret nga rreth 50 milionë përdorues të regjistruar në Turqi, sipas medieve turke.
Mendohet se bllokimi vjen si pasojë e asaj që presidenca turke, nëpërmjet shefit të komunikimit, e quajti “censurë të pastër”, duke iu referuar mesazheve ngushëlluese për vrasjen e liderit politik të grupit palestinez Hamas, Ismail Hanijeh (o. Haniyeh).
Hanijehu ishte aleat i ngushtë i presidentit turk Rexhep Tajip Erdoan (o. Recep Tayyip Erdogan). Ai u vra të mërkurën në Teheran në një shpërthim që i është ngarkuar Izraelit.
“Platforma pengoi njerëzit që të publikojnë mesazhe ngushëllimi për martirin Hanijeh,” deklaroi drejtori i presidencës turke, Fahretin Altun (o. Fahrettin Altun).
Instagrami menaxhohet nga kompania mëmë Meta Platforms Inc. e cila po ashtu kontrollon Facebook-un.
Në muajin prill, Meta pezulloi shërbimin e vet social “Threads” në Turqi pas vendimit të autoriteteve vendase për të mos lejuar shpërndarjen e informacionit me Instagramin. /AFP