“Turp! Kështu shkatërrohet ndeshja!”, Mazzarri i inatosur me gjyqtarin bojkoton ceremoninë pasi u mund nga Interi
Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, ka bojkotuar sot ceremoninë e Superkupës së Italisë si dhe nuk është shfaqur para kamerave për intervistat e zakonshme në fund të sfidës.
Trajnerit italian nuk i pëlqeu arbitrimi në sfidën e sotme ndaj Interit dhe për këtë arsye ka reaguar si gjatë ndeshjes, ashtu edhe pas saj.
Në momentin kur gjyqtari i tregoi Simeones kartonin e kuq duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë, Mazzarri ishte i papërmbajtshëm në pankinë. “Turp! Kështu shkatërrohet një ndeshje!”, ishte ulërima e tij drejt gjyqtarit në ato momente, sipas asaj që raportuan gazetarët e “Canale 5”.
Në momentin kur Lautaro Martinez shënoi golin në minutën e 91-të, ai vendosi të shkonte direkt në dhomat e zhveshjes, duke mos ndjekur minutat që kishim mbetur nga ndeshja, dukshëm i inatosur për mënyrën se si ekipi i tij e humbi duelin.
Dhe ndërsa lojtarët u ngjitën në podium duke marrë medaljet e argjendta të Superkupës, Mazzarri ka bojkotuar ceremoninë, duke mos dalë përsëri në fushë, ashtu si edhe stafi i tij teknik i cili ndoqi shembullin e trajnerit.