Turistët e huaj, interes për historinë dhe kulturën e Voskopojës
Voskopoja, një nga qendrat më të rëndësishme kulturore e historike në vend, vijon të mbetet ndër destinacionet më interesante për vizitorët vendas dhe të huaj në të gjitha stinët e vitit.
Përveç bukurive natyrore, Voskopoja është e pasur dhe me shumë monumente kulture, siç janë kishat e manastiret, të cilat ngjallin interesin e vizitorëve.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ndau në rrjetet sociale pamje nga turistët e huaj që kanë vizituar këto ditë Voskopojën.
“Me lajmin e mirë se që nga çelja e sezonit turistik 1165 persona kanë vizituar Voskopojën, ftojmë të gjithë turistët vendas dhe të huaj për të eksploruar këtë destinacion, pasi krahas historisë së pasur, kishave dhe afreskeve të shumta që mbartin në vetvete një trashëgimi të çmuar kulturore, peizazhi dhe ushqimi i mirë që ky vend ofron janë një arsye më tepër për ta vizituar”, shkruan IKTK.
IKTK fton turistët ta vizitojnë Voskopojën.
“Nëse jeni në kërkim të një udhëtimi të veçantë dhe të paharrueshëm, bëhuni pjesë e historisë dhe kulturës së Voskopojës”, theksoi IKT.
Arkitektura e kishave në Voskopjë i ka rezistuar kohës, luftërave, dëmtimit nga dora e njeriut, si dëshmitare unike e atij qytetërimi. Nga 22 kishat e dikurshme kanë mbetur në këmbë në Voskopojë ende pesë kisha: Kisha e Shën Athanasit, Kisha katedrale “Fjetja e Shën Marisë”, Kisha e Kryeëngjëjve, Gabriel dhe Mihael, Kisha e Shën-Kollit dhe Manastiri i Shën Prodhromit.