
Tudor beson te Juve: Nuk ka lodhje, ka entuziazëm
Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, ka mohuar zërat për lodhje të skuadrës së tij në fund të sezonit, duke thënë se lojtarët janë plot motivim dhe gati për sfidën ndaj ekipit maroken Wydad Casablanca, që zhvillohet të dielën në Kupën e Botës për Klube në stadiumin “Lincoln Financial Field” në SHBA.
Juventusi e ka nisur mirë këtë turne me fitoren 5:0 ndaj Al Ain nga Emiratet e Bashkuara, dhe një fitore ndaj Wydad do ta siguronte kalimin në fazën tjetër. Nëse ndodh kjo, bardhezinjtë pritet të përballen me Manchester Cityn në një ndeshje vendimtare për kreun e Grupit G, të enjten.
“Nuk shoh shenja lodhje te lojtarët. Përkundrazi, ka shumë entuziazëm. E shijojnë lojën dhe ka shumë më tepër vetëbesim se më parë. Ajo që po ndërtojmë së bashku është për t’u vlerësuar”, ka thënë ai.
Tudor e mori drejtimin e Juventus në mars, pas shkarkimit të Thiago Motta. Në atë kohë, skuadra ishte jashtë top katërshes në Serie A dhe kishte dalë nga të gjitha garat e tjera. Por me Tudor në krye, Juventus humbi vetëm një ndeshje në kampionat dhe e mbylli sezonin në vendin e katërt, duke siguruar pjesëmarrjen në Champions League.
“Kam pasur në dispozicion profesionistë të vërtetë, që nga dita e parë. Është punuar shumë pas kuintave, por kemi përmirësuar edhe kuptimin e lojës dhe kërkesat e mia si trajner”, është shprehur ai.
Megjithatë, pavarësisht suksesit fillestar në këtë turne, Tudor ka kërkuar përqendrim të plotë nga ekipi.
“Juventusi duhet të jetë ambicioz, por edhe i përulur. Duhet të punojmë fort dhe me kokën ulur. U them gjithmonë lojtarëve të përqendrohen në stërvitje dhe të marrin çdo ndeshje me radhë. Ndoshta i lodh duke e përsëritur, por kjo është mënyra e duhur”, ka thënë tekniku kroat.