
Tuchel para sfidës me Shqipërinë: Do të luajmë me emocion dhe dëshirën për fitore
Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel në konferencën për medie, ka thënë se skuadra e tij në duel me Shqipërinë do të kërkojë fitore.
‘Tre Luanët’ dhe Kuqezinjtë do të përballen nesër mbrëma në ‘Wembley’ në ndeshjen e parë të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Strategu gjerman thotë se Anglia në duel me Shqipërinë do të hyjë në lojë më synim fitoren.
“Dua të luajmë me emocion, uri dhe dëshirë për të fituar. Pranimi i dështimit është pjesë e futbollit. Duhet të implementosh bashkimin dhe faktin që të gjithë të ndihen të sigurtë për të treguar veten dhe për të dhënë më të mirën. Luaj me dëshirë për të fituar dhe jo frikë për të humbur”, ka thënë Tuchel.
Ai ka kërkuar respekt për Shqipërinë.
“Duhet të kemi respekt për Shqipërinë, për kualitetin dhe futbollin që tregon ky kundërshtar. Nuk jemi injorantë të themi që do diktojmë lojë dhe të tjerët do na ndjekin, çdokush do mundohet të gjejë zgjidhje kundër nesh”, theksoi Tuchel.
Ndeshja Angli-Shqipëri nis në orën 20:45.