Tuchel i hedh benzinë zjarrit
Trajneri i Bayern Munich, Tomas Tuchel, i ka hedhur benzinë zjarrit të spekulimeve sot me një deklaratë se do t’i pëlqente të punonte sërish jashtë Gjermanisë e më konkretisht në Spanjë.
Lojtarë të skuadrës bavareze dhe stafi teknik sot kanë kryer disa vizita në klube tifozësh dhe Tuchel ishte vizitor në Red Stars Heidenheim, ku edhe u pyet nëse do t’i pëlqente të drejtonte përsëri një skuadër të huaj.
Ai ka qenë nën presion të vazhdueshëm që nga momenti kur ka marrë drejtimin e Bayernit, i kritikuar se nuk i ka dhënë përmirësim lojës.
Pak kohë më parë, Tuchel deklaroi gjatë një interviste se në Angli është ndjerë më i vlerësuar se në vendet e tjera ku ka punuar.
Ai drejtoi Chelsean pas shkarkimit nga PSG, duke fituar Champions League me skuadrën londineze.
I pyetur sot në klubin e tifozëve, Tuchel tha se puna jashtë Gjermanisë i duket tërheqëse dhe Spanja ka një kampionat të jashtëzakonshëm. Në kushtet kur Barcelona do të jetë pa trajner në korrik, pas njoftimit të largimit nga Xavi Hernandes, një deklaratë e tillë nga Tuchel me siguri do të fusë edhe emrin e tij në vallen për stolin katalanas.