Trupi i pajetë i Faton Hajrizit kthehet në Kosovë
Trupi i pajetë i Faton Hajrizit ka arritur në Kosovë në orët e para të së premtes. Vetura me të cilën po transportohej trupi i tij arriti në Merdar rreth orës 02:00.
Avokati i angazhuar nga familja Hajrizi, Arianit Koci, ka thënë se trupi i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorisë dhe Policisë si dhe do të ketë ekzaminime shtesë.
“Do të ketë ekzaminime shtesë, është në kompetencë të prokurorit, besoj deri të hënë apo të martën do të kryhen të gjitha. Gjitha dokumentet që kam pasur ia kam dorëzuar prokurorisë sonë, policisë, kështu që kemi pasur një koordinim të shkëlqyer. Shumë na ka ndihmuar Zyra e Kosovës nw Beograd dhe Ministria e Punëve të Jashtme”, ka thënë Koci në një prononcim për media në Merdar.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi të enjten mbrëma se Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje që të tërhiqet trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, që është raportuar se është vrarë në Lloznicë.
Faton Hajrizi u vra më 19 korrik në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës. Një ditë më herët, ai dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër. Faton Hajrizi qe arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik.