
Trumpi dërgon Gardën Kombëtare në Los Angeles pas përleshjeve të dhunshme
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur t’i dërgojë 2000 ushtarë të Gardës Kombëtare në Los Angeles për t’u përballur me trazirat e shkaktuara pas bastisjeve ndaj migrantëve pa dokumente.
Vendimi vjen pas ditës së dytë me përplasje në një lagje në qytetin e Los Angeles, ku banorët janë përballur me agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave. Në zonën e Paramount janë përdorur gaz lotsjellës dhe mjete “më pak vdekjeprurëse” për shpërndarjen e turmave.
“Kur protestat apo aktet e dhunës pengojnë zbatimin e ligjeve, ato përbëjnë një formë rebelimi kundër autoritetit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar Trump në një deklaratë.
Sipas tij, njësitë e Gardës Kombëtare do të angazhohen për të “mbrojtur përkohësisht” agjentët federalë të emigracionit.
Nga ana tjetër, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, reagoi në rrjetet sociale duke thënë:
“Qeveria federale po merr kontrollin e Gardës Kombëtare të Kalifornisë dhe po dërgon 2,000 ushtarë në Los Angeles — jo sepse mungon forca e rendit, por sepse kërkojnë spektakël. Mos ua jepni. Mos përdorni dhunë. Reagoni paqësisht”
Policia e Los Angelesit, ka dhënë urdhra për shpërndarje të turmave përreth një qendre paraburgimi në qendër të qytetit.
“Disa persona janë ndaluar pasi nuk i janë bindur urdhrave për t’u shpërndarë, të cilët janë dhënë disa herë”, theksohet në deklaratën e njësisë qendroreD.
Autoritetet kanë autorizuar përdorimin e mjeteve jo-vdekjeprurëse, të cilat, sipas tyre, “shkaktojnë dhimbje dhe shqetësim”.