Trump u drejtohet elitave të Davosit: Prodhoni në SHBA ose do të paguani tarifa
Presidenti amerikan Donald Trump bëri një paralajmërim të hapur për elitat globale në një videomesazh drejtuar Forumit Ekonomik Botëror në Davos: Prodhojeni produktin tuaj në SHBA ose paguani tarifa.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump prezantoi planet e tij për të ulur taksat, për të hequr kufizimet nga industritë dhe për të goditur imigracionin e paligjshëm.
Por, ai dha edhe një mesazh të ashpër.
“Ejani prodhojeni produktin tuaj në Amerikë dhe ne do t’ju ofrojmë taksat më të ulëta se në çdo komb tjetër”, tha Trump.
“Por, nëse nuk e prodhoni produktin tuaj në Amerikë, që është prerogativa juaj, atëherë shumë thjesht do të duhet të paguani një tarifë”, shtoi ai.
Në fjalimin e tij të gjatë, Trump bëri një lidhje midis luftës në Ukrainë dhe çmimeve të naftës.
Trump tha se do t’i kërkonte Arabisë Saudite dhe Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës të ulnin çmimet e naftës së papërpunuar.
“Nëse çmimi do të ulej, lufta Rusi-Ukrainë do të përfundonte menjëherë”, tha ai, raporton atsh.