
Trump: Shumë elementë të marrëveshjes për Ukrainën janë dakordësuar përpara telefonatës me Putinin
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të bisedojnë sot në telefon, ndërsa Trump po shtyn për një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.
Telefonata do të jetë e dyta e publikuar mes dy presidentëve, që kur Trump u kthye në detyrë në janar dhe do të bëhet pa pjesëmarrjen e zyrtarëve ukrainas ose të BE-së, të cilët po vëzhgojnë me nervozizëm se çfarë lloj marrëveshjeje mund të arrijnë Trump dhe Putin.
“Shumë elementë të një marrëveshjeje përfundimtare janë rënë dakord, por shumë mbeten”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Mijëra ushtarë të rinj dhe të tjerë po vriten. Çdo javë sjell 2 500 vdekje ushtarësh, nga të dyja palët, dhe kjo duhet të përfundojë TANI. Mezi pres telefonatën me presidentin Putin”, shkroi Trump.
Putin së fundmi vlerësoi përpjekjet e Trump për të gjetur një zgjidhje për konfliktin e Ukrainës, të cilin Moska e ndezi duke nisur një pushtim në shkallë të plotë të fqinjit të saj në shkurt 2022.
Megjithatë, shefi i Kremlinit deri më tani ka reaguar me kujdes ndaj një propozimi të SHBA për një armëpushim 30-ditor, për të cilin Uashingtoni ka rënë dakord me Kievin.
Putin nuk beson se janë plotësuar kushtet për një ndërprerje të tillë.
Presidenti rus ka deklaruar se duhet të sqarohen shkaqet e luftës për të gjetur një paqe të qëndrueshme.
Për Rusinë, kjo përfshin një garanci që Ukraina nuk do të bëhet anëtare e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s.
Ukraina ka paralajmëruar vazhdimisht se nuk mund të ketë zgjidhje për konfliktin pa përfshirjen e Kievit.
Vendet evropiane ndërkohë po përpiqen të arrijnë konsensus se si të mbështesin Ukrainën dhe si të monitorojnë një armëpushim të mundshëm pa mbështetjen e besueshme ushtarake dhe financiare që Uashingtoni kishte dhënë nën presidentin e mëparshëm Joe Biden.
Bisedimet Putin-Trump gjithashtu ka të ngjarë të çojnë në një takim midis dy liderëve.
Kjo mund të ndodhë në Arabinë Saudite, ashtu si diskutimet e SHBA me Kievin javën e kaluar, por ende nuk është caktuar një datë. /atsh/