
Trump: “Pa SHBA-në, Evropa do të fliste gjermanisht”
Ish-presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të enjten se pa ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore, shumica e vendeve evropiane “do të flisnin gjermanisht, ndoshta edhe pak japonisht”, raportojnë mediet e huaja, transmeton Rekordi.net.
Gjatë një vizite në bazën ushtarake al-Udeid në Katar, Trump theksoi se SHBA-të nuk e festojnë sa duhet rolin vendimtar që kanë pasur në mposhtjen e Gjermanisë naziste dhe ripërsëriti idenë për krijimin e një feste kombëtare në SHBA për këtë fitore historike.
“Ne e fituam luftën dhe jemi të vetmit që nuk e festojmë atë,” tha Trump, ndërsa foli përpara personelit ushtarak amerikan. Ai ironizoi edhe faktin që vende si Franca festojnë më 8 maj fitoren ndaj nazistëve.
“Ne e duam Francën, apo jo? Por mendoj se ne bëmë pak më shumë sesa bëri Franca për të fituar luftën,” shtoi ish-presidenti, duke shkaktuar të qeshura mes ushtarëve të pranishëm.
Trump iu referua gjithashtu momentit kur Hitleri mbajti një fjalim në Kullën Eiffel pas pushtimit të Francës në vitin 1940.
“Nuk dua të jem ironik, por kur Hitleri mbajti fjalimin e tij në Kullën Eiffel, do të thoja se nuk ishte pikërisht një nga momentet më të mira të historisë,” komentoi ai.
Ish-presidenti ka bërë edhe më parë deklarata të ngjashme, ku minimizon rolin e vendeve të tjera evropiane dhe veçanërisht të Bashkimit Sovjetik, i cili filloi të zmbrapste trupat naziste që nga fillimi i vitit 1943. Trump argumenton se pa ndihmën amerikane, fitorja ndaj Gjermanisë naziste nuk do të ishte e mundur.
Shtetet e Bashkuara fillimisht mbështetën Aleatët me ndihma ekonomike dhe ushtarake, përpara se të përfshiheshin drejtpërdrejt në luftë pas sulmit japonez në Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941. Ndërhyrja vendimtare në Evropë ndodhi më 6 qershor 1944 me zbarkimin në Normandi.
Sipas Muzeut Kombëtar të Luftës së Dytë Botërore në SHBA, vendi humbi 416,800 trupa gjatë konfliktit – më shumë se Mbretëria e Bashkuar (383,600), por ndjeshëm më pak se Bashkimi Sovjetik, i cili humbi nga 8.8 deri në 10.7 milionë ushtarë. /Rekordi.net