
Trump ndryshon qëndrim: Rusia sulmoi Ukrainën
Presidenti Donald Trump ndryshoi qëndrim dje në mbrëmje dhe tha se Rusia në fakt kishte pushtuar Ukrainën – dhe se Kievi së shpejti do të nënshkruante një marrëveshje mineralesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sipas “Reuters”.
Trump tha të martën se Ukraina “nuk duhej ta kishte filluar kurrë” luftën tre vjet më parë, duke shkaktuar një valë kritikash si brenda dhe jashtë vendit.
Në një intervistë dje për “Fox News Radio”, Trump pranoi se Rusia kishte pushtuar Ukrainën me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.
“Rusia sulmoi, por ata nuk duhet ta linin të sulmonte”, tha Trump, duke shtuar se presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe presidenti i atëhershëm i SHBA-se, Joe Biden duhet të kishin ndërmarrë hapa për të shmangur pushtimin.
Trump më vonë tha se Ukraina nuk kishte “letra për të luajtur”, ndërsa Uashingtoni po ndjek bisedimet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Trump gjithashtu pretendon se një marrëveshje për mineralet do të arrihet së shpejti.
Zelensky tha se ekipet ukrainase dhe amerikane po punonin për një projektmarrëveshje.
Në fillim të kësaj jave, u bë e ditur se Trump po kërkonte akses në mineralet e tokës së rrallë të Ukrainës – me vlerë rreth 500 miliardë dollarë – si shlyerje për mbështetjen ushtarake të Uashingtonit për Kievin, gjatë tre viteve të fundit.
Zelensky e hodhi poshtë ofertën duke e quajtur si “jo serioze” dhe tha se nuk ofronte garanci sigurie në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
Ndërkohë, Trump sulmoi kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron se nuk po bënin asgjë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. /atsh/