Trump kërcënon “Apple” me tarifa prej 25% për iPhone-t e prodhuar jashtë SHBA-së

Trump kërcënon “Apple” me tarifa prej 25% për iPhone-t e prodhuar jashtë SHBA-së

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka paralajmëruar “Apple” se do të vendosë një tarifë importi prej 25% për iPhone-t e prodhuar jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“E kam informuar prej kohësh drejtorin ekzekutiv, Tim Cook të “Apple” se iPhone-ët që do të shiten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhet të prodhohen në SHBA, dhe jo në Indi, apo diku tjetër”, shkroi sot Trump në platformën “Truth Social”.

“Nëse nuk është kështu, një tarifë prej të paktën 25% do të duhet t’i paguhet SHBA-së nga “Apple”, shtoi ai.

Trump ka kërkuar prej kohësh që “Apple” të prodhojë iPhone-t, në SHBA.

Ekspertët argumentojnë se kjo do të kërkonte investime të mëdha dhe do t’i bënte telefonat inteligjentë shumë më të shtrenjtë.

Nën udhëheqjen e Cook, “Apple” ka ndërtuar zinxhirë furnizimi në Azi gjatë dekadave të fundit me fabrika të mëdha, kryesisht në Kinë.

Në vitet e fundit, kompania ka rritur gjithashtu prodhimin në Indi dhe Vietnam, pjesërisht në përgjigje të bllokimeve të furnizimit pas izolimit të shkaktuar nga koronavirusi në Kinë. /atsh/

Share This