Trump i bën thirrje presidentit sirian të njohë Izraelin si një shtet legjitim

Trump i bën thirrje presidentit sirian të njohë Izraelin si një shtet legjitim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kërkoi Presidentit të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit që normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin, tha Shtëpia e Bardhë, ndërsa të dy udhëheqësit u takuan në Riad, në takimin e parë midis udhëheqësve të vendeve në 25 vjet.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u takua me presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa në Riad, duke shënuar takimin e parë midis udhëheqësve të dy vendeve në 25 vjet.

“Në takimin 30-minutësh, Trump i bëri thirrje al-Sharaa për njohjen dhe normalizimin e lidhjeve me Izraelin”, tha Shtëpia e Bardhë.

Trump ndodhet në Katar në pjesën e dytë të turneut të tij në tre vende të Gjirit Persik.

Takimi me al-Sharaa, në të cilin mori pjesë edhe Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, dhe iu bashkua edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan nëpërmjet një telefonate, erdhi një ditë pasi Trump deklaroi se do të hiqte sanksionet e vendosura ndaj Damaskut.

Masat u zbatuan në përgjigje të shtypjes brutale të ish-presidentit Bashar al-Assad ndaj protestuesve në vitin 2011 dhe dhunës që regjimi i tij kreu kundër civilëve gjatë luftës civile që pasoi.

Al-Assad u rrëzua nga pushteti – në fillim të dhjetorit nga një aleancë rebele islamike e udhëhequr nga al-Sharaa, i cili më vonë u emërua president i përkohshëm.

Dikur një udhëheqës kryengritës, al-Sharaa që atëherë ka hequr dorë si nga al-Kaeda ashtu edhe nga Shteti Islamik. Megjithatë, mbeten dyshime nëse ai e ka braktisur plotësisht ideologjinë ekstremiste dhe është ende i listuar në listat terroriste të SHBA-së dhe BE-së.

Megjithatë, al-Sharaa është takuar me udhëheqës evropianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, dhe Trump tha se heqja e sanksioneve është një mundësi për vendin e shkatërruar nga lufta “të shkëlqejë”.

Duke folur me gazetarët pas takimit, Trump e përshkroi al-Sharaa si një djalë të ri, tërheqës dhe një djalë të fortë me një të kaluar shumë të fortë.

Takimi i fundit i udhëheqësve amerikanë dhe sirianë u zhvillua në vitin 2000 midis Bill Clinton dhe babait të Bashar al-Assad, Hafez al-Assad.. /rtsh/

Share This