Trump e quan Zelenskyn “diktator pa zgjedhje”, i bën thirrje të “veprojë shpejt”

Trump e quan Zelenskyn “diktator pa zgjedhje”, i bën thirrje të “veprojë shpejt”

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka quajtur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, një “diktator pa zgjedhje”, duke shtuar se ai “bënë mirë që të veprojë shpejt, në të kundërtën nuk do të ketë më një shtet”.

Këto deklaratë vijnë një ditë pas takimit SHBA-Rusi, në Riad të Arabisë Saudite, ku këto dy shtete janë pajtuar për t’i adresuar faktorët “acarues” në raportet mes dy shteteve dhe kanë nisur punën drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë.

Në këtë takim nuk mori pjesë Ukraina. Zelensky porositi se “asnjë vendim nuk mund të merret pa Ukrainën lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë”, raporton Rel.

Presidentit ukrainas ishte paraparë t’i përfundonte mandati presidencial në maj të vitit 2024, por Kushtetuta ukrainase ndalon mbajtjen e zgjedhjeve kur shteti shpall gjendje lufte. Gjendja e luftës është në fuqi në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Por, SHBA-ja së fundi i ka kërkuar Ukrainës që të mbajë zgjedhje të reja, teksa presidenti rus, Vladimir Putin, që e cilëson Zelenskyn si udhëheqës jolegjitim, ka thënë se ai nuk do të negocionte me të, pasi ka argumentuar se ai nuk ka autoritet që të nënshkruajë një marrëveshje të paqes.

Pas kritikave më të ashpra që Trump ka bërë deri më tani në drejtim të Ukrainës, kryediplomati ukrainas, Andrii Sybiha, shkroi në rrjetet sociale se “askush nuk mund ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet”.

“Ne do të mbrojmë të drejtën tonë për të ekzistuar”, tha ai.

Po ashtu, reagimi i Trumpit erdhi pasi më herët gjatë 19 shkurtit, Zelensky hodhi poshtë pretendimin e presidentit amerikan se popullariteti i udhëheqësit ukrainas ishte vetëm 4 për qind. Zelensky tha se Trump po përsërit dezinformata, që sipas tij, vinin nga Moska.

Lidhur me luftën në Ukrainë, Trump kishte bërë deklarata edhe një ditë më herët, kur la të kuptohej se ai fajësonte Ukrainën për nisjen e konfliktit.

“Nuk duhet ta kishit nisur kurrë. Mund të kishit bërë një marrëveshje”, tha Trump.

Share This