Trofetë e Man City-t, në vitrinën e Tiranës
Trofetë e Manchester City-t në Tiranë, Champions League, Premier League, FA Cup, FIFA Club World Cup, UEFA Supercup.
Një ngjarje e rrallë, e bukur dhe që do të mbahet mend nga të gjithë sportdashësit e kryeqytetit shqiptar. Një iniciativë e veçantë që kulmoi edhe me prezantimin e projektit të kompleksit të ri sportiv të Akademisë së Futbollit Dyrrah City, të Manchester City, i cili do të ndërtohet në zonën e Spitallës, në Durrës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e vlerësoi maksimalisht realizimin e këtij projekti në vendin tonë, si një skenë argëtimi dhe edukimi për të fëmijët dhe të rinjtë.
“Më vjen shumë mirë që ne arritëm të kemi një kontratë për ta ndërtuar këtu këtë akademi, por edhe të kemi një ekskluzivitet për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me një kusht në kontratës, që nëse në të ardhmen do të hapet një stacion tjetër, Bashkia e Durrësit do të jetë partnere edhe atje”.
Faktikisht ne duam që të mblidhet ajka e talentit që ka ky vend, që në moshë të vogël në këtë sport, që është sporti më popullorë në botë.
Kemi hyrë në diskutime që të sjellim pranë akademisë së Manchester City, akademinë e Rafa Nadal, një akademi tenisi e cila shpresoj dhe besoj që do t’i bashkëngjitet kampusit të Manchester City si një destinacion sporti. Aty është dhe Universiteti, kështu që e gjithë ajo zonë do të kthehet në një zonë shumë atraktive në shumë aspekte”.
Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu e ka konsideruar hapjen e kësaj shkolle një mundësi të artë për të rinjtë shqiptar dhe shkollë model për rajonin.
“Tashmë po kurorëzohen disa prej hapave të rëndësishme drejt finalizimit të këtij projekti të madh të hapjes së futbollit, akademisë elitë në Durrës. Mendoj se është një mundësi e artë për të rinjtë e talentuar, por edhe për futbollistët profesionistë, për tu stërvitur dhe promovuar në botën e madhe të futbollit”.
Edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka vlerësoi realizimin e këtij projekti në vendin tonë.
“Do jetë një shkollë për të gjithë akademitë e Shqipërisë. Nëse Cityt i janë dashur shumë vite për të arritur sukses, ne, duke shfrytëzuar eksperiencën e tyre, do na duhen më pak vite dhe do rikuperojmë atë kohën e humbur që kemi deri tani në përgjithësi”.
Arkitekti i projektit të Akademisë së Futbollit Dyrrah City, në bashkëpunim me Manchester City-n, Marco Casamonti tregon detajet e këtij projekti.
“Pjesa më e rëndësishme e projektit është vendi ku fëmijët jo vetëm do të luajnë futboll, por të mësohen të bëhen të aftë për të përballuar çdo sfidë të jetës. Kur ndërtohet një qendër, ndërtohet një shkollë dhe kjo quhet shkolla e Manchester City, ku mësohen vlerat njerëzore, jo vetëm për djemtë, por edhe për vajzat. Shpresoj që sporti të përfaqësojë jo vetëm lojën, por edhe nivelin e një shoqërie nga pikëpamja kulturore”.
Përgjegjësinë e drejtimit të “DYRRAH CITY” Academi e ka drejtori i saj, Gjergj Ndoci.
“Në tetor të vitit të kaluar ne kemi firmosur dy kontrata, me Manchester City dhe City Football. Thelbi i këtyre dy kontratave, e para është: për të implementuar programin e shkollës së Manchester City në Shqipëri. E dyta, për të na ndihmuar që të krijojmë një akademi elitë, të standarteve që City ka edhe në vend e të tjera”.
Përfaqësuesit e Manchester Cityt në Shqipëri, i kanë dhuruar fanellën zyrtare të skuadrës angleze, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.