Trepça zbret në Estoni, gati për duelet në FIBA Europe Cup
KB Trepça tashmë ka zbarkuar në Estoni.
Mitrovicasit këtë mesjavë do të zhvillojnë ndeshjet e para për këtë sezon në FIBA Europe Cup.
“Xehetarët” përmes një njoftimi, kanë konfirmuar arritjen në tokën estoneze.
“Jemi në Parnu të Estonisë, ku do t’i zhvillojmë ndeshjet e para në FIBA Europe Cup, e që shpresojmë shumë se nuk do të jenë të fundit për këtë edicion. Skuadra është shumë e motivuar dhe e përkushtuar për të dhënë maksimumin për sukses në Evropë. Të mërkurën (4 tetor) luajmë me skuadrën nga Islanda, Tindastoll. Ndeshja fillon në ora 18:00. Të enjten (5 tetor) luajmë me skuadrën vendase, Parnu. Edhe kjo ndeshje fillon në ora 18:00. Udhëtimi i gjatë për në Estoni është bërë pa asnjë problem, ndërsa atmosfera në skuadër është e shkëlqyer. Synimi është i qartë – vendi i parë në grup dhe avancimi në fazën tjetër”, thuhet në njoftimin e KB Trepçës.
Mitrovicasit më kohë kanë kryer të gjitha përgatitjet dhe të motivuar maksimalisht do t’i qasen sfidave të para në FIBA Europe Cup.