Trepça mposht Sigal Prishtinën në një sfidë të ‘çmendur’

Trepça mposht Sigal Prishtinën në një sfidë të ‘çmendur’

Në një dramë të vërtetë në “Minatori”, Trepça ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 88:85 (22:17, 23:18, 18:30, 25:20).

Sfida u zhvillua në kuadër të javës së 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Pas një fillimi të barabartë, mitrovicasit u shkëputën në tetë pikë, 20:12, derisa çerekun e parë e fituan 22:17. Vendasit vazhduan me lojë të mirë dhe në periudhën e dytë ngritën epërsinë në 45:33, kurse në pushim shkuan me rezultatin 45:35.

Megjithatë, bardhekaltrit nuk u dorëzuan dhe në periodën e tretë, bënë përmbysjen, në 63:65, sa ishte rezultati pas 30 minutash. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua dramë e vërtetë, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, por në fund mitrovicasit ishin më të vëmendshëm dhe fituan 88:85, ndërsa në aksionin e fundit Armstead i mysafirëve nuk ishte i saktë për tri pikë.

Te vendasit më të mirët ishin Jordy Tshimanga me 20 pikë e 15 kërcime, Drilon Hajrizi me 17 pikë e pesë kërcime dhe Mikaile Tmusiq me 14 pikë e gjashtë kërcime, kurse te mysafirët u dalluan Derrick Wilson me 21 pikë e shtatë asistime dhe Malcolm Armstead me 19 pikë e katër kërcime.

Trepça ka 14 fitore e dy humbje, ndërsa Sigal Prishtina dhjetë fitore e gjashtë humbje.

Share This