Tre persona janë vrarë në një sulm me armë zjarri në Uppsala të Suedisë

Tre persona janë vrarë në një sulm me armë zjarri në Uppsala të Suedisë

Tre persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në qytetin Uppsala të Suedisë, në një ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe ka trazuar atmosferën para festimeve të pranverës.

Viktimat u qëlluan në një sallon flokësh pranë Sheshit Vaksala, në zemër të qytetit, vetëm pak orë përpara nisjes së festivalit Walpurgis, i cili sjell mijëra qytetarë në rrugët e Uppsalës.

Sipas policisë, autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes me një skuter dhe ndodhet ende në arrati.

Hetimet për vrasje janë duke u zhvilluar, ndërsa një perimetër i gjerë është bllokuar nga forcat e rendit.

Një helikopter i policisë është vënë në ndjekje të agresorit, dhe përkohësisht janë pezulluar edhe shërbimet e trenave për të shmangur arratisjen e mundshme të autorit. Ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, e cilësoi incidentin si një akt brutal dhune dhe u shpreh i shqetësuar për përshkallëzimin e rasteve të ngjashme.

Megjithëse identiteti i viktimave dhe autorit ende nuk është bërë publik, rritja e incidenteve të dhunshme, veçanërisht të lidhura me bandat kriminale, ka vënë në presion autoritetet suedeze për të reformuar ligjet për armëmbajtjen.

Kjo ngjarje vjen në një kohë kur Suedia po përballet me një krizë të thelluar të sigurisë publike, me sulme të përsëritura që kanë lënë pas viktima të pafajshme. /rtk/

Share This