Trajneri Ilir Daja ia propozon këtë futbollist të Ballkanit, Kombëtares së Shqipërisë
Ilir Daja po korr sukses edhe jashtë kampionatit të Shqipërisë.
Trajneri nga Tirana ka fituar në vite rresht titullin kampion me Ballkanin në Kosovë, si dhe ka arritur ta kualifikojë për të dytën herë klubin nga Theranda në grupet e Ligës së Konferencës.
Në një intervistë të dhënë për emisionin “Studio Sport” në “Vizion Plus”, Daja ka pranuar se ambicia e tij është që pasi të përfundojë ciklin e tij me Ballkanin të provojë veten në një kampionat tjetër jashtë Kosovës dhe Shqipërisë.
“Nazmi Gripshi është një element që duhet parë, sepse në këto dy vitet që kam unë në drejtimin e Ballkanit, Gripshi është bërë një lojtar shumë i rëndësishëm, që mund të shihet, jo në këto momente sepse Kombëtarja e Shqipërisë po kalon një formë të jashtëzakonshme, por që mund të jetë një element për t’u vëzhguar për të ardhmen për ekipin kombëtar”, ka deklaruar Ilir Daja.
Ai ka folur edhe për synimet që i ka në të ardhmen.
“Çdo trajner ka ambiciet e veta, sepse nëse nuk ke ambicie nuk i shtyn gjërat përpara. Natyrshëm, kur je nën kontratë me një klub nuk mund të përmendësh ofertat nga klubet e tjera. Gjë, të cilat nuk më kanë munguar. Jo personalisht, por edhe klubit i kanë ardhur oferta, edhe jashtë Kosovës. Por nuk është korrekte që kur je në kontratë me një ekip që të flasësh për ofertat apo se çfarë do të ndodhë nesër. Ndoshta ka ardhur momenti që pas një cikli në Suharekë, që nuk mendoj se do mbarojë këtë vit, por mendoj më gjatë, pse jo, mund të provoj një aventurë në një kampionat tjetër më të fortë se Shqipëria dhe Kosova. Por për momentin jam i kënaqur këtu”, ka deklaruar ndër të tjera Ilir Daja.