Trajneri i ri i Milanit, zbulohet lista e të preferuarve të Ibrës
Me Stefano Piolin që ka mbyllur tashmë eksperiencën e tij në bankinën e Milanit dhe pret vetëm fundin e sezonit për t’u larguar, kuqezinjtë kanë nisur të mendojnë për trajnerin e ardhshëm.
Media pranë milanezëve bëjnë me dije se me këtë çështje po merret ekskluzivisht Zlatan Ibrahimovic, i cili ëndrrën e madhe ka të sjellë në stolin e Milanit teknikun e mirënjohur italian Antonio Conte.
Ibra është takuar disa herë me këtë të fundit, por problem krahas konkurrencës me Napolin, mbetet fakti që Conte kërkon garanci të shumta financiare, për të investuar në merkaton e verës dhe ndërtuar një skuadër konkurruese.
Pikërisht kjo është edhe pika që step kuqezinjtë, të cilët natyrisht që nuk mund të investojnë aq sa Conte do të donte për të ndërtuar menjëherë një Milan fitues, gati të konkurrojë për objektiva madhorë.
Emra të tjerë që Ibra preferon janë Marc Van Bommel dhe Roberto De Zerbi. Të dy kanë një të kaluar si futbollistë te Milani dhe njohin mirë ambientin, teksa holandezi drejton aktualisht belgët e Royal Antwerp, ndërsa De Zerbi anglezët e Brighton.
Van Bommel duket një opsion i mundshëm, por edhe një bast i fortë për Ibrën, ndërsa De Zerbi rrezikon të mbetet vetëm një dëshirë, pasi ndaj tij kanë hedhur sytë klube me buxhete shumë më të mëdha si Bayern Mynih e Barcelona.
Krahas tyre, më poshtë në hierarki, në listën e Ibrës janë edhe emra si Gallardo, Galtier, Sergio Conceicao, Fonseca apo Julen Lopetegiu, teksa vendimi pritet të merret para Europianit, në mënyrë që me trajnerin e ri të planifikohet edhe merkatoja e verës.