Trajneri i Kosovës optimist para sfidës me Zvicrën dhe Rumaninë

Trajneri i Kosovës optimist para sfidës me Zvicrën dhe Rumaninë

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Primoz Gliha, ka folur të hënën në konferencën e parë para dy ndeshjeve të shtatorit.

Dardanët të shtunën përballën me Zvicrën në ‘Fadil Vokrri’, derisa tri ditë më vonë luajnë në udhëtim tek Rumania, ndeshje këto që luhen në kuadër të kualifikueseve për EURO 2024.

I pari i bankinës së Kosovës, tha se për ekipin kombëtar gjithnjë rezultati është në fokus. Ai theksoi se në listën e tij, janë disa emra që më parë kanë qenë pjesë e Kombëtares U21.

“Besoj që e keni parë listën dhe keni parë që janë disa emra që dikur kanë qenë pjesë e U21-shave sepse jemi duke provuar të ndërtojmë një bashkëpunim me ekipet e tjera”, tha Gliha.

“Rezultati është fokusi sepse është ekipi kombëtar dhe te ekipi duhet të luajnë lojtarët më të mirë. Fokusi duhet të jetë te rezultati”, ka theksuar ai.

Tekniku slloven ka folur edhe për Arbnor Mujën, i cili tashmë ka vendosur të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë.

“Lojtarët duhet të qëndrojnë te Kosova. Lojtarë të tillë duhet të jenë prioritet për ne. Në situatën aktuale ne nuk mund të bënim asgjë, kemi provuar të bisedojmë me të dhe t’ia bëjmë të qartë se është pjesë e planeve tona të rëndësishme por ai kishte marrë vendimin e tij për të qenë pjesë e Shqipërisë”, ka pohuar Gliha.

Ai beson se Kosova do të ketë paraqitje të mirë në duel me Zvicrën.

Kombëtarja jonë tashmë është grumbulluar për të nisur stërvitjen për sfidën me Zvicrën dhe Rumaninë.

Share This