Trajneri i Islandës: Kosova ka individ të talentuar

Trajneri i Islandës: Kosova ka individ të talentuar

Trajneri i Kombëtares së Islandës, Arnar Gunnlaugsson, e ka përshkruar Kombëtaren e Kosovës si skuadër me cilësi para përballjes në Nations League, ku do të sqarohet se cila skuadër do të ngjitet në Ligën B. 

Kosova dhe Islanda do të takohen më 20 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45. Ndërkohë, sfida e kthimit do të zhvillohet më 23 mars në Spanjë.

“Ky ekip ka individë të talentuar, që luajnë për Napolin, Mallorcan, Lillen e Freiburg. Ata kanë një trajner me përvojë, Franco Foda, i cili ka drejtuar më parë edhe kombëtaren e Austrisë. Ai ka eksperiencë në futbollin ndërkombëtar”, ka thënë ai

Megjithatë, Gunnlaugsson e ka pranuar se Islanda përballet me një sfidë të vështirë, duke marrë parasysh që ndeshjen e kthimit do ta luaj në Spanjë dhe jo në stadiumin në Laugardalsvollur.

“Do të jetë një detyrë e vështirë. Ndeshjen ‘në shtëpi’ e kemi në Spanjë, që është më e mira që mund të bënim për marsin, por jo ideale. Duam që ndeshjet t’i zhvillojmë në Laugardalsvollur. Pres disa përballje të forta”, ka shtuar ai.

Trajneri islandez ka theksuar se për të nuk ka rëndësi vetëm rezultati, por edhe progresi i ekipit:
“Nuk dua vetëm fitore, por edhe zhvillim. Nëse fitojmë me fat dhe nuk mësojmë asgjë, nuk do të na shërbejë kur të fillojnë detyrat e vërteta në vjeshtë”, është shprehur ai, duke iu referuar nisjes së kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Share This