
`Trainkos` reagon pas sulmit të fundit me gurë ku u lëndua një grua
“Trainkos” ka bërë apel urgjent publik, duke kërkuar që të ndalohet menjëherë hedhja e gurëve në drejtim të trenave.
Reagimi ka ardhur pas incidentit të së shtunës në Grabovc të Obiliqit, ku një grua derisa po udhëtonte me tren u godit me gur në kokë. 26-vjeçarja mori lëndime në kokë dhe u trajtua në QKMF të Drenasit.
“Trainkos shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për incidentin e ndodhur më 3 maj 2025 në afërsi të fshatit Grabovc, ku një pasagjere 26-vjeçare u lëndua në kokë si pasojë e goditjes me gurë nga jashtë trenit në lëvizje. Ky akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pasagjerëve dhe stafit tonë, si dhe për integritetin e shërbimeve tona hekurudhore. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe viktima ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga mjekët emergjentë, duke u transferuar më pas për trajtim të mëtejshëm në QKMF në Drenas. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të implikuarve në këtë incident. Trainkos dënon fuqishëm çdo akt dhune dhe vandalizmi ndaj trenave dhe pasagjerëve tanë”, thuhet në reagimin e “Trainkos” në Facebook.
“Trainkos” ka bërë bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të tilla të rrezikshme si hedhja e gurëve apo çfarëdo objekti tjetër në drejtim të trenave në lëvizje.
“Këto veprime nuk janë vetëm të papërgjegjshme dhe të paligjshme, por përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e pasagjerëve, stafit hekurudhor dhe gjithë pjesëmarrësve në këtë shërbim publik. Ne u bëjmë thirrje prindërve, edukatorëve dhe komunitetit në tërësi që të edukojnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tilla. Vandalizmi ndaj trenave nuk është lojë — është krim që mund të marrë jetë njerëzish. Gjithashtu, ftojmë çdo qytetar që sheh ose ka dijeni për persona që kryejnë këso aktesh, të lajmërojnë menjëherë organet kompetente ose Trainkos-in, në mënyrë që të ndërhyhet sa më shpejt dhe të parandalohet ndonjë tragjedi e mundshme. Siguria është përgjegjësi e të gjithëve. Le të bashkohemi për ta mbrojtur atë”, thuhet në reagim.
Gruaja u godit me gur në kokë ndërsa po udhëtonte me tren
Një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se derisa po udhëtonte me tren u godit me gur në kokë në fshatin Grabovc të Obiliqit të shtunën.
Policia ka bërë të ditur se viktima ka marrë tretman mjekësor dhe se rasti po hetohet.
“Viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se derisa ka qenë duke udhëtuar në tren (drejtimi Prishtinë–Pejë), dikush ka hedhur një guri në drejtim të trenit, ku ankuesja është qëlluar në kokë. Viktima pas pranimit të trajtimit mjekësor është liruar. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton rtk.