Tragjedia në festivalin “Bite of Seattle”, 15-vjeçari arrestohet pas shkëmbimit të zjarrit që la 3 të vdekur e 4 të plagosur

Tragjedia në festivalin “Bite of Seattle”, 15-vjeçari arrestohet pas shkëmbimit të zjarrit që la 3 të vdekur e 4 të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Seattle-it në Shtetet e Bashkuara, ku një shkëmbim zjarri gjatë festivalit të njohur ushqimor “Bite of Seattle” la të vdekur tre persona dhe të plagosur katër të tjerë, mes të cilëve edhe një fëmijë dyvjeçar.

Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, rreth orës 18:00, në zonën e populluar pranë kullës ikonike Space Needle, ku mijëra qytetarë po merrnin pjesë në ditën e fundit të aktivitetit vjetor.

Autoritetet vendore konfirmuan se personi i arrestuar në vendngjarje është një 15-vjeçar, i cili po mbahet në paraburgim për të mitur nën akuzat e sulmit të shkallës së parë dhe shkeljes së ligjeve për armët e zjarrit.

Hetimet dhe dinamika e të shtënave

Sipas Policisë së Seattle-it, përplasja dyshohet se ka nisur si pasojë e një shkëmbimi zjarri mes dy personave të armatosur. Hetuesit janë ende në kërkim të një të dyshuari të dytë, ndonëse nuk përjashtojnë mundësinë që ai të jetë mes personave të mbetur të vdekur.

“Po përpiqemi të identifikojmë se kush është ai person. Nuk ka një kërcënim të vazhdueshëm për publikun,” deklaroi gjatë një konference për shtyp kryepolic i Seattle-it, Shon Barnes.

Të shtënat vranë dy burra të moshës 19 dhe 44 vjeç, si dhe një grua 56-vjeçare (dy prej të cilëve ndërruan jetë në vendngjarje dhe një i tretë në spital).

Të plagosur mbetën një djalë 2-vjeçar (i cili ndodhet në gjendje të stabilizuar) si dhe tre të rritur — dy burra të moshës 23 dhe 27 vjeç dhe një grua 39-vjeçare, të cilët dolën nga spitali pas marrjes së ndihmës mjekësore.

Nuk është sqaruar ende nëse viktimat ishin kalimtarë të rastit apo nëse kishin lidhje me përplasjen mes autorëve.

Panik mes turmës dhe dëshmitë nga vendngjarja

Të shtënat me armë në një ambient të mbushur me familje e vizitorë shkaktoi panik masiv. Pjesëmarrësit u përpoqën të strehoheshin në ndërtesat pranë kompleksit Seattle Center, përfshirë Muzeun e Fëmijëve dhe një kinema IMAX.

Dëshmitarët përshkruajnë skena kaosi ku njerëzit largoheshin me vrap midis stendave të ushqimit.

“Ishim gati të fillonim të hanim, pastaj dëgjuam dikë të bërtiste diçka dhe pamë njerëz që filluan të vraponin. Dëgjova ‘bum, bum, bum’ dhe e kuptova se dikush po qëllonte me armë,” rrëfeu Faith Adia Hunter, e pranishme në festival.

Një tjetër dëshmitar, Estan Wakonabo, tregoi se si turma nisi të ikte në mënyrë të çrregull:

“Njerëzit fshiheshin, shtyheshin, binin përtokë, karrocat e foshnjave po binin. Ishte një tmerr i vërtetë.”

Reagimi i autoriteteve dhe vigjilja

Ditën e hënë, në shenjë zie, flamuri amerikan në kullën Space Needle u ul në gjysmështizë, ndërsa shitësit dhe punonjësit e bashkisë nisën pastrimin e hapësirës ku zhvillohej festivali. Një vigjilje me qirinj u organizua pranë Shatërvanit Ndërkombëtar në nderim të viktimave.

Kryebashkiakja e qytetit, Katie Wilson, konfirmoi se hetimet po vijojnë me intensitet të lartë për zbardhjen e plotë të motiveve dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje tragjike. /rtsh/

Share This