
Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri, arrestohen 10 persona, 2 në kërkim
Goditet grupi që trafikonte armë nga Kosova në Shqipëri. Policia e Tiranës ka bërë me dije se 10 persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi trafikonin armë nga Kosova me destinacion kryeqytetin shqiptar.
Blutë kanë sekuestruar 14 armë zjarri, 2077 fara kanabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.
Nga hetimet ka rezultuar se të pjesëtarët e këtij grupi, siguronin armë në Kosovë dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe i shisnin në Tiranë.
“Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit: E. T., 32 vjeç, L. H., 21 vjeç, F. B., 26 vjeç, R. H., 21 vjeç, V. M., 23 vjeç, K. F., 18 vjeç, G. M., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht në Kosovë por dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, i sillnin ato në Tiranë, për t’i shitur.
Gjatë periudhës hetimore, në kuadër të këtij procedimi, më datë 01.04.2025, janë ndaluar shtetasit A. P dhe K. P., pasi u kapën në flagrancë me 2 armë zjarri, të dyshuara të trafikuara nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. F, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 2077 fara cannabisi.
Punohet për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet në njoftim. /rtsh/