Tottenham mban “peng” Kane në aeroport, Bayern-i e priste për Superkupën

Në Mynih e pret një kontratë 4-vjeçare dhe numri 9, por duket se tratativat mes Bayern dhe Spurs-ave duken se nuk kanë fund. Ajo që po ndodh me transferimin e Harry Kane në Gjermani ka diçka të jashtëzakonshme.

Mëngjesin e sotëm kapitenin e Anglisë e priste një avion, i cili pritej që të nisej nga pista e “London Stansted Airport” rreth orës 07:30. Por aty nis gjithçka. Daniel Levy, presidenti i Tottenham, nga Majemi u ka telefonuar vartësve të tij duke u thënë që të mos lejojnë 30-vjeçarin që të niset drejt Mynihut. Shkaku? Sipas Levy-t ka ende disa detaje me pagesat e bonuseve, të cilat duhet të paguhen nga Bayern-i. Edhe pse mes klubeve është arritur një akord presidenti i “Spurs” ka gjetur këtë justifikim për të penguar këtë fluturim duke detyruar kështu Kane që të qëndrojë në një shtëpi pranë aeroportit pasi fluturimi i dytë ishte programuar për në 12:15. Por “Sky Sport England” informoi se edhe në këtë orar asnjë avion nuk u nis me destinacion Mynihun.

Me këtë vendim Levy ka vendosur kështu që të privojë Kane nga shansi i parë që ka për të fituar një trofe në karrirën e tij. Siç dihet nesër mbrëma Bayern sfidon Lajpcig për titullin e parë për këtë sezon, Superkupën e Gjermanisë. Në këtë takim Kane do të luante me ngjyrat e reja vetëm nëse Bayern do të kishte mundur që ta regjistronte brenda orës 15:00 të ditës të sotme.

Një gjë e tillë duket se nuk do të realizohet. Sipas medieve gjermane Kane është “dorëzuar” dhe pret me durim lejen nga klubi për të udhëtuar drejt Bavarisë, ku dhe do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore përpara se të firmosë akordin 4-vjeçar me rekordmenët e Gjermanisë.

Për këtë transferim , i cili është më i shrenjti në historinë e Bundesliga-s, foli edhe trajneri i Bayern-it. Gjatë konferencës për shtyp të finales Bayern-Lajpcig, Tuhel tha: “Ju mbase dini më shumë se unë mbi këtë transferim. Sigurisht nuk është sekret fakti se ne po mundohemi të nënshkruajmë me një lojtar të madh si Kane, por deri në momentin që nuk ka asgjë zyrtare nuk mund të them asgjë më shumë”.

Share This