Topi i Artë 2010/ Messi apo Sneijder, Mourinho: Jo, nuk e cilësoj vjedhje

Topi i Artë 2010/ Messi apo Sneijder, Mourinho: Jo, nuk e cilësoj vjedhje

Të shumtë janë tifozët që mendojnë se Topin e Artë 2010 duhet ta kishte fituar Wesley Sneijder.

Holandezi zhvilloi një sezon magjik me Interin, duke fituar tripletën si protagonist i madh.

Në verë iu afrua shumë edhe fitimin të Botërorit, me Holandën e tij që dështoi në minutat shtesë në finalen e madhe përballë Spanjës. Goli i Andres Iniestës dërgoi kupën për herë të parë në Madrid.

Lionel Messi fitoi Topin e Artë, ndërkohë që podi u kompletua nga Xavi dhe Iniesta. Me Sneijder që nuk shkoi më shumë se vendi i katërt në renditjen e më të mirëve të vitit.

Jose Mourinho, i cili ishte timonieri i Interit në suksesin e jashtëzakonshëm të 14 viteve më parë, nuk e cilëson grabitje nga ana e argjentinasit.

“Nuk dua ta quaj vjedhje, nuk më pëlqen ta etiketoj të tillë. Kush e fitoi? Messi? Pra nuk u grabit ai Top i Artë. Por, Wesley fitoi tripletën dhe mbërriti në finalen e Kupës së Botës në të njëjtin sezon. Arsye për të cilat duhej të ishte të paktën në treshen e parë. Gjithsesi, nëse e fitojnë Messi apo Cristiano Ronaldo nuk mund të quhet Top i Artë i vjedhur”, u shpreh Jose Mourinho.

Share This