Tonali pezullohet për 18 muaj
Mesfushori i Neëcastle, Sandro Tonali, do të pezullohet për 18 muaj, pas një hetimi nga Prokuroria e Torinos dhe Federata Italiane e Futbollit FIGC për përfshirjen në baste.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur të enjten presidenti i FIGC-së, Gabriele Gravina, i cili ka deklaruar se Tonali “ka ofruar bashkëpunim maksimal” gjatë hetimeve.
Tonali u transferuar nga Milani tek skuadra angleze gjatë merkatos së verës.
Gravina ka sqaruar për mediat se pezullimi do të jetë për 18 muaj për futbollistin, nga të cilat 10 muaj është ndalimi nga futbolli dhe 8 të tjerat janë terapi dhe aktivitete rehabilituese.
“Një marrëveshje është arritur midis Prokurorit Federal dhe Sandro Tonalit, të cilën e kam miratuar edhe unë”, – ka shtuar Gravina.
Kohëzgjatja e këtij pezullimi nënkupton se Tonali do të mungojë në Evropianin e verës së ardhshme në Gjermani, ku Italia do të kërkojë të mbrojë titullin e fituar në 2021-shin, natyrisht në do të arrijë të kualifikohet. Mesfushori i Juventusit, Nikolo Faxholi, ishte pezulluar më herët për 7 muaj, po në kuadër të hetimeve për bastet e paligjshme.
Tonali, së bashku me lojtarin e Aston Vilës, Nikolo Zaniolo, u larguan nga grumbullimi i përfaqësueses italiane të futbollit në fillim të këtij muaji, para ndeshjeve të Eliminatoreve të “Euro 2024”-ës ndaj Maltës dhe Anglisë, pasi u përfshinë në hetimet mbi këtë çështje.