Tirana vuan, por triumfon mes spektaklit ndaj Kukësit në “Air Albania”
Gola, kartonë, emocione, përmbysje dhe ripërmbysje, të gjitha në një, në duelin e javës së 13-të në Kategorinë Superiore, midis Tiranës dhe Kukësit.
Për herë të parë në këtë sezon, Tirana zbarkoi në “Air Albania” dhe pavarësisht se vuajti, në fund nuk zhgënjeu, duke fituar 3-2 përballë Kukësit, në një takim ku verilindorët luajtën për më shumë se gjysmë ore me një lojtar më pak.
Tirana e nisi mirë takimin, duke treguar më shumë dëshirë dhe “bardheblutë” u shpërblyen shumë shpejt, pasi kaluan në avantazh me Deliun që realizoi pas 15 minutash lojë.
1-0 dhe Tirana kërkoi të shfrytëzonte momentin e mirë, por nuk ia doli të gjente qetësinë e duhur, ndërkohë që pjesa e dytë prodhoi jo vetëm gola, por edhe karton të kuq dhe shumë emocione.
Pas 8 minutash lojë nga fraksioni i dytë, Kukësi barazoi me anë të Beshirajt dhe simfonia ndryshoi.
Tirana provoi të reagonte për t’u rikthyer përsëri në avantazh, teksa këtë herë “bardheblutë” nuk gjetën golin, por superioritetin numerik, kjo pasi Duka u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe verilindorët mbeten me dhjetë lojtarë.
Të besuarit e Ahmatajt kërcënuan kuadratin e Tafas, por ky i fundit ishte i pakalueshëm, ndërsa për ta bërë sfidën akoma edhe më të bukur mendoi Momoh që përmbysi rezultatin në minutën e 80-të.
Befasi për Tiranën, por kryeqytetasit nuk pranuan të dorëzoheshin edhe pse verilindorët menduan më shumë për mbrojtjen, teksa goli i barazimit erdhi shtatë minuta më pas me autor Përgjonin, që shënoi një gol me shumë peshë.
2-2 dhe “bardheblutë” ndryshuan ritëm, duke mbetur në portën e Kukësit dhe në limite, në frymën e fundit, Kaina Nunes ripërmbysi ndeshjen me golin e shënuar në minutën e 90’.
Me këtë sukses, Tirana prek kuotën e 21 pikëve, momentalisht në vendin e tretë, ndërsa Kukësi mbetet me 14 pikë në vendin e gjashtë.