Tifozët kuqezi trembin Bufonin: 80% e stadiumit me shqiptarë
Po afron 15 qershori, dita kur Shqipëria do të debutojë në EURO 2024 përballë Italisë, skuadrës kampione në fuqi të Evropës.
Kreu i delegacionit të Italisë në “Gjermani 2024”, Gianluigi Buffon ka folur në prag të përballjes me kuqezinjtë, duke theksuar se tifozët shqiptarë janë të shumtë në mbështetje të kombëtares.
“Kemi ndeshjen me Shqipërinë, që në letër duket se ndeshja që mund të përballohet më lehtë në grupin tonë. Por nuk është kështu, mendoj se do të jetë një ndeshje mjaft delikate për Italinë. Është një ndeshje e vështirë, sepse Shqipëria është një skuadër në rritje dhe mbi të gjitha do të ketë një mbështetje publiku të jashtëzakonshme në Gjermani.
Mbaj mend që kur shkuan në Evropianin e Francës në 2016- ën, në ndeshjet e tyre në stadium ishin 80% shqiptarë dhe 20% pjesa tjetër e tifozëve”, ka thënë mes të tjerash ish-portieri i njohur.