Thiago Motta tek Juventusi, është zyrtare!
Tashmë është zyrtare. Thiago Motta do të jetë trajner i Juventusit.
Italo-braziliani ka nënshkruar për tre vjet me bardhezinjtë.
Njoftimi zyrtar që u shfaq në faqen e klubit të Juventusit: “Është zyrtare: trajneri i ardhshëm i Juventusit do të jetë Thiago Motta. Trajneri italo-brazilian ka nënshkruar një marrëveshje me Juventusin deri më 30 qershor 2027. Ai filloi karrierën e tij si trajner në 2018 – duke filluar nga ekipi i të rinjve të Paris Saint Germain, ekipi me të cilin ai kishte përfunduar aventurën e tij si lojtar disa muaj më parë. Në Itali, ai mbërriti në pankinën e Genoas në 2019-n dhe më pas ka drejtuar Spezian dhe Bolonjën, skuadra në të cilën në dy vitet e fundit ka arritur të shfrytëzojë sa më shumë idetë e tij të lojës dhe me të cilën ka arritur një kualifikim historik për Ligën e Kampionëve”.
“Jam vërtet i lumtur që filloj një eksperiencë të re në krye të një klubi të madh si Juventusi. Falënderoj pronarët dhe menaxhmentin të cilëve u siguroj të gjithë ambicien time për të mbajtur ngjyrat e Juventusit lart dhe për t’i bërë tifozët të lumtur”.
Këto janë fjalët e para të Thiago Motta-s si trajner i ri i Juventusit. /rtsh/