“Tetori i librit” sjell në shqip pesë vepra të letërsisë franceze për fëmijë e të rinj
Në kuadër të “Tetorit të librit”, një muaji ku theksi vihet tek libri dhe lexuesit e tij, Ambasada e Francës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpallën fituesit e thirrjes për botimin në shqip të librave francezë.
Projekti i Ambasadës së Francës në Tiranë dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit do të mundësojë botimin në shqip të pesë veprave të letërsisë franceze në gjuhën shqipe.
Lexuesit shqiptarë do të kenë mundësi të lexojnë autorë francezë si Christelle Dabos, Jean Giono, Dominique Barberis, Neige Sinno, Christiane Rochefort të shqipëruar nga përkthyeset Lorena Dedja, Liliana Papa, Klarita Lagji dhe Blerta Hyska.
Ato u përzgjodhën mes shumë aplikimeve të dorëzuara për këtë thirrje dhe janë libra për fëmijë dhe të rinj ose libra të vlerësuar me çmime në Francë.
Tetori, i cili përkon me ditëlindjen e tre poetëve të rëndësishëm të letërsisë sonë kombëtare: Migjenit, Dritëro Agollit dhe Gjergj Fishtës, është shpallur si muaji që i kushtohet librit e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë që ka ai në shoqëri. /atsh/