Tërmet 5.8 ballë në Turqi, një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur në Marmaris

Tërmet 5.8 ballë në Turqi, një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur në Marmaris

Një tërmet me magnitudë 5.8 ballë goditi në orët e para të mëngjesit bregdetin perëndimor të Turqisë, duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. Sipas autoriteteve turke, të paktën një person ka humbur jetën dhe 69 të tjerë janë plagosur.

Guvernatori i Marmarisit, Idris Akbiyik, njoftoi se viktima është një vajzë 14-vjeçare, e cila u shtrua në spital pas një sulmi paniku dhe ndërroi jetë pak më vonë. Shumë nga të plagosurit kanë marrë lëndime pasi janë hedhur nga ballkonet dhe dritaret në përpjekje për t’u larguar nga shtëpitë gjatë lëkundjeve.

Sipas Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), tërmeti kishte epiqendrën në Detin Mesdhe dhe u regjistrua në orën 02:17 të mëngjesit me kohën lokale. Lëkundjet u ndjenë edhe në rajonet përreth, përfshirë ishullin grek të Rodosit.

Turqia ndodhet në një nga zonat më aktive sizmike në botë. Kujtojmë se në vitin 2023, një tërmet katastrofik me magnitudë 7.8 goditi vendin, duke lënë mbi 53,000 viktima dhe shkaktuar dëme masive në infrastrukturë, raporton rtsh.

Share This