
Tërheqja e Trump, BE ndalon tarifat hakmarrëse ndaj mallrave amerikane për 90 ditë
Bashkimi Evropian ka vendosur të pezullojë përkohësisht kundërmasat ndaj Shteteve të Bashkuara, në përgjigje të tarifave të vendosura nga administrata Trump për importet e çelikut dhe aluminit. Vendimi vjen pas njoftimit të presidentit Trump për një pauzë 90-ditore të zbatimit të tarifave ndaj vendeve të goditura, përfshirë edhe vendet e BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE dëshiron t’i japë një shans negociatave përpara se të ndërmarrë masa hakmarrëse. “Kemi vendosur të tregojmë përmbajtje dhe të presim rezultatet e bisedimeve,” u shpreh ajo.
Vetëm disa orë përpara këtij zhvillimi, 26 nga 27 vendet anëtare të BE-së kishin votuar në favor të vendosjes së kundërmasave – me Hungarinë si vendin e vetëm që votoi kundër.
Sipas planit të përgatitur nga Komisioni Evropian, kundërmasat do të zbatoheshin në tri faza: faza e parë më 15 prill për mallra me vlerë 3,9 miliardë euro, faza e dytë më 15 maj për mallra me vlerë 13,5 miliardë euro dhe faza e tretë më 1 dhjetor me vlerë 3,5 miliardë euro.
Këto masa u propozuan në përgjigje të tarifave 25% për çelikun dhe aluminin, të cilat SHBA i aktivizoi në mes të marsit dhe që prekin jo vetëm BE-në, por edhe shumë vende të tjera në mbarë botën. Negociatat në ditët në vijim pritet të përcaktojnë nëse pauza e përkohshme do të çojë drejt një marrëveshjeje më të qëndrueshme tregtare mes dy blloqeve, raporton rtsh.